Fol me
Kryeministrin

Letra

Pse krijohet kjo hapësirë?

Kryeministri Edi Rama vendos karrige të kuqe me etiketën "Dialog" përpara shkallëve të Kryeministrisë.

Çdo protestë ka një arsye kur nis, por edhe një sfond më të gjerë sesa pankarta e pikënisjes. Nga ana tjetër protesta nuk është vetëm një manifestim shqetësimi, pakënaqësie a zemërimi, po pjesë e bashkëjetesës demokratike, ku qytetarët janë të lirë të shprehen dhe kanë të drejtë të dëgjohen.

Në vendet e lira protesta është një e drejtë e pamohueshme, që mbrohet nga shteti edhe kur protestohet kundër qeverisë, parlamentit, gjykatës. Dhuna ndaj institucioneve, kërcënimi dhe vandalizmi ndaj pronës publike e private janë krime. Prandaj refuzimi i dhunës e distancimi prej saj, është ana tjetër e lirisë dhe së drejtës së protestës.

Për mua, që i përkas një gjenerate e cila e fitoi me protesta paqësore lirinë e mendimit dhe të pluralizmit politik, ka qenë gjithnjë e qartë:

Protesta është një trokitje në veshin e pushtetit dhe pushteti duhet ta dëgjojë çdo protestë, e të jetë kurdoherë gati për dialog.

Shpesh, kur një protestë nuk është një demonstrim politik për bazën opozitare, po një manifestim qytetar shqetësimesh, protestuesit e kërkojnë dialogun dhe qeveritë hezitojnë të ulen me ta. Por nganjëherë ndodh e kundërta. Sot ka studentë që duan të flasin, të pyesin, të kundërshtojnë, të kërkojnë shpjegime apo të propozojnë zgjidhje, mirëpo nuk ndihen të lirë ta bëjnë këtë publikisht, për shkak të intimidimit të vazhdueshëm të atyre që nuk duan dialog.

Por as dhuna e disave nuk mund të bëhet arsye për të mos dëgjuar të tjerët, as refuzimi i dialogut nga disa nuk mund të kthehet në pengesë për ata që duan të dialogojnë.

Kështu lindi ideja e kësaj hapësire të re sociale.

Një mundësi e thjeshtë komunikimi të drejtpërdrejtë me mua, fillimisht për studentët, por e hapur për këdo që dëshiron të bëjë një pyetje, të shprehë një kritikë, të ngrejë një shqetësim apo të paraqesë një propozim.

Pa qenë nevoja të dalë publikisht me emër e mbiemër. Pa qenë nevoja të marrë anën e askujt. Pa qenë nevoja të jetë dakord me mua për asgjë.

Identiteti i atyre që dëshirojnë të komunikojnë pa e bërë publik emrin e tyre do të ruhet në mënyrë konfidenciale dhe nuk do të publikohet pa pëlqimin e tyre.

Kjo nismë nuk synon të zëvendësojë protestën me një formular digjital, as të kushtëzojë dialogun me dakordësinë për çka mund të mos jemi kurrë dakord.

Synimi është ngritja e një ure ku pyetjet, kritikat, shqetësimet dhe propozimet, ashtu si përgjigjet, kundërargumentet, mirëkuptimi dhe dakordësitë e mundshme, të thuhen lirisht, të shqyrtohen me respekt dhe të adresohen me përgjegjësi.

Askush nuk duhet të zgjedhë mes së drejtës për të protestuar dhe mundësisë për t'u dëgjuar.

Prandaj, kush do të protestojë paqësisht, le ta bëjë pa asnjë pengesë. Kush do që edhe të dialogojë për çka proteston, bujrum, është i mirëpritur në këtë hapësirë të re sociale.

Le ta nisim duke rënë dakord se mund të mos jemi kurrë dakord, por nga mënyra se si e shprehim mosdakordësinë tonë varet edhe sa e mirë ose jo është bashkëjetesa jonë demokratike.

Edi Rama

Kryeministër i Shqipërisë

Koncepti

Nga zëri te përgjigja

Kryeministri Edi Rama në tryezën e tij të punës, me kokën mbështetur në dorë, mes lapsave me ngjyra.

Në rrjetet sociale, të gjithë mund të flasin. Më e vështirë është të dihet kush dëgjoi, çfarë kuptoi dhe çfarë bëri me atë që dëgjoi.

Shumë prej atyre që protestojnë sot janë formuar në një realitet ku komunikimi është i flakëpërflaktë, autoriteti është gjithnjë në pikëpyetje dhe besimi nuk buron nga hierarkitë tradicionale.

Prandaj kjo hapësirë sociale nuk duhet të ngjajë me një tjetër kanal procedurash të bezdisshme. Ajo duhet të jetë e thjeshtë, e kuptueshme dhe e ndërtuar rreth asaj që qytetari ka për të thënë.

Një mundësi për të shkruar lirisht, një garanci për të mos u ekspozuar publikisht pa dëshirën tënde dhe një angazhim serioz për t'i trajtuar me respekt e përgjegjësi pyetjet, kritikat, shqetësimet dhe propozimet.

Pyetjet me interes të gjerë do të marrin përgjigje publike nga Kryeministri, pa bërë publik identitetin e autorëve që nuk e dëshirojnë këtë.

Çështjet që kërkojnë një trajtim individual do t'u përcillen institucioneve përkatëse, me mundësinë e marrjes së përgjigjes në mënyrë private.

Dhe periodikisht do të publikohet një pasqyrë e dialogut, për të treguar çfarë është pyetur, çfarë është përgjigjur dhe çfarë është bërë apo mund të bëhet në vijim.

Sepse qëllimi nuk është thjesht që zëri yt të mbërrijë te Kryeministri, por që përgjigjja të mbërrijë te ti.